Mbrëmjen e së mërkurës, “tulipanët” holandezë të Feyenoord do të presin në “De Kuip”, “shqiponjat” italiane të Lazio, në sfidën e vlefshme për raundin e 3-të, të fazës së grupeve të UEFA Champions League.
Pak orë para ndeshjes, trajneri i italianëve Maurizio Sarri theksoi se tifozët holandezë nuk kanë sjellje korrekte në ambientet e brendshme dhe të jashtme të stadiumit. Megjithatë, këtyre fjalëve i është përgjigjur menjëherë tekniku i Feyenoord, Arne Slot i cili shprehet se edhe pse Sarri-t nuk i pëlqen, tifozët holandezë janë të apasionuar pas futbollit.
“Besoj se Sarri-t nuk i pëlqen vetëm një pjesë e futbollit holandez, ndoshta sepse këtu në Holandë jemi të çmendur për futbollin. Ndoshta ka edhe të drejtë sepse ka pasur raste kur janë hedhur edhe sende në fushën e lojës, në vitin e kaluar lojtarët e Lazio u goditën me gota birre.
Gjithsesi, tani kemi rrjeta dhe tifozët nuk do të hedhin sende. Megjithatë, e ftoj Sarri-n të shoh përtej kësaj dhe të shohë edhe spektaklin që krijohet. Shpresoj që atmosfera që do të krijohet të jetë e mrekullueshme dhe tifozët të mos hedhin sende në fushën e lojës”,- u shpreh Slot. /i.m /abcnews.al