Debat në ditën e samitit: Çfarë i ofrojnë Europës Shqipëria dhe Ballkani

schedule17:29 - 6 Dhjetor, 2022

schedule 17:29 - 6 Dhjetor, 2022

Në një ditë ku në Tiranë mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor, akademikë, studiues, ekspertë të çeshtjeve europiane nga Shqipëria, Italia dhe Spanja diskutuan në një konferencë ndërkombëtare rreth temës se çfarë Shqipëria dhe Ballkani i sjellin Bashkimit Europian duke synuar të eksplorojnë dhe avancojnë narrativat e perfitimit të ndërsjelltë të integrimit europian.

Konferenca ishte një bashkepunim i Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombetare, Institutit të Medias dhe ambasadave të Italisë, Spanjës dhe Delegacionit të Bashkimit Europian.

Në panele u diskutua se çfarë konkretisht sjell Shqipëria dhe rajoni në BE-në e sotme dhe të nesërme.

Sipas kryetarit të Institutit të Studimeve Ndërkombetare, Albert Rakipi kur është fjala për zgjerimin e BE në Ballkan mbizotëruese kanë qenë arsyet negative.

“Oborri i pasëm i Europës, paqëndrueshmëria politike, rreziku i eksportimit të instabiliteteve. Po kështu edhe argumentet gjeopolitike janë gjithsesi arsye negative: nëse BE nuk zgjerohet në Ballkan krijohet vakum që mund të mbushet nga fuqi jashtë aksit euroatlantik. Të gjitha këto janë “arsye negative” që duhet të inkurajojnë BE të zgjerohet në Ballkan, përfshirë Shqipërinë. Qëllimi i kësaj konferencë shkencore është të sjellim arsyet pozitive se përse BE duhet të zgjerohet me anëtarë të rinj nga Ballkani Perëndimor që aktualisht ka mbetur si një ishull i rrethuar nga vendet anëtare të BE. Për herë të parë debatohet dhe diskutohet edhe me kolegë tanë nga vendet europiane se çfarë Shqipëria dhe Ballkani mund t’i ofrojne Europës. Të gjithë e dimë se ekzistojnë frikëra dhe paragjykime në shoqëritë eurpiane se mbërritja e anëtarëve të rinj nga Ballkani e pakta do të jetë për Europën një barrë. Kjo është e gabuar, e padrejtë dhe e pavërtetë. Kjo sipërmarje akademike që fillon në Tiranë pikërisht në diten kur mbahet Samiti i BE synon të rrëzojë edhe frikërat edhe percepetimet e gabuara”, tha ai. /abcnews.al