Grupi në PD pro lëvizjes së Sali Berishës ka kundërshtuar vendimin e Lulzim Bashës për të mbledhur Kuvendin Kombëtar në 18 Dhjetor, 7 ditë pas atij që ka thirrur lideri historik, që kryedemokrati nuk e njeh.
“Mos i dilni kundër vullnetit të anëtarësisë dhe firmave që janë mbledhur. Vendimi që do marrë Kryesia është ilegjitim, se partia ka më shumë të emëruar se të zgjedhur” tha Albana Vokshi me Edi Palokën duke kërkuar mbledhjen e Kuvendit në 11 Dhjetor.
Lexo edhe: Berisha thirri Kuvendin, Basha mbledh kryesinë: Do të vërë kundër SHBA-ve një pjesë të vogël të PD
Deputeti Tomor Alizoti u pozicionua kundër të dy palëve. “Bashkoni Partinë Demokratike” ishte apeli i tij.
Tre janë pikat që ka propozuar Lulzim Basha për Kuvendin e 18 Dhjetorit; Vendimmarrje mbi situatën politike, miratimin e strategjisë së aksionit politik kundër qeverisë dhe miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme.
“I. Vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD, dhe axhendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës.
II. Miratimin e Aksionit Politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e Platformës Qytetare për Demokraci, për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend, si dhe ndërtimin e mekanizimit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimin e Edi Ramës, i cili në aleancë me krimin e organizuar dhe korrupsionin ka shkatërruar çdo mjet të funksionimit demokratik të shtetit shqiptar dhe po nxit braktisjen masive të vendit nga qytetarët dhe kryesisht të rinjtë.
III. Miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme, sipas objektivit “Partia Demokratike, partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm – Forca e vetme politike që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri” tha Basha.
Mes disa pikave të draft vendimit për çështjen e organizimit dhe thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 18 Dhjetor ka edhe një pikë tjetër me rëndësi, që synon disiplinimin e strukturave.
“Çdo veprim apo akt tjetër, në çdo formë apo mënyrë, që bie ndesh me këtë vendim të Kryesisë së Partisë, do të përbënte dëmtim të interesave elektorale dhe politike të Partisë Demokratike”- thuhet në pikën 3 të vendimit të propozuar nga kryetari i PD./ db/Abcnews.al