Italia ka nisur përgatitjet për tre ndeshjet e para të eliminatoreve të Botërorit Katar 2022. Të kaltrit e Roberto Mancinit e nisin kundër Irlandës së Veriut në shtëpi (25 mars). Tre ditë më pas transferta bullgare, teksa më 31 mars sërish jashtë fushe: kësaj radhe në Lituani.
Trajneri i katër herë kampionëve të botës, Roberto Mancini prek disa tema në prononcimin për mediat, duke e nisur nga afrimet e fundit: Daniele De Rossi dhe Rafael Toloi. I pari është bërë pjesë e stafit teknik të kombëtares, teksa ka ardhur një ftesë edhe për mbrojtësin e Atalantës.
“Me De Rossin kemi biseduar që përpara se të shkonte te Boca Juniors. Ai ka vendosur të nisë karrierën e trajnerit. Daniele përfaqëson një lojtar shumë të rëndësishëm të futbollit italian, edhe presidenti ishte dakord për këtë lëvizje.
Toloi? E ftova, pasi ai është një mbrojtës shumë fleksibël, mund të luajë në disa role të ndryshme. Ai luan në një skuadër që mbron lart dhe bazohet te duelet një kundër një. Dua ta njoh si futbollist dhe si njeri, prandaj i dërgova një ftesë.
Jemi pak në vështirësi në qendër të mesfushës. Jorginho mungon, teksa me shumë mundësi do të kthehet në shtëpi edhe Cristante. Të shohim djemtë e Interit, pres t’i bashkohen skuadrës. Ndeshje e parë është e vështirë, nuk luajmë së bashku prej 5 muajsh.
Do të përballemi me një skuadër me lojtarë të fortë fizikisht, lojtarët e Irlandës së Veriut luajnë në Premier League. Gjithsesi, nuk mund të gabojmë. Po e monitorojmë situatën e Zaniolos, por nuk duam të rrezikojmë nëse nuk do të jetë gati. Është i ri, e presin shumë turne përpara.
Pirlo? Fatkeqësisht, kjo është jeta e trajnerit. Kalojmë momente gëzimi dhe lumturie, por ka raste kur nuk ia dalim të transmetojmë atë që duam te skuadra. Duhet të mendojmë gjithmonë pozitivisht, momenti i vështirë dhe zemërimi duhet të zgjasë pak“, përfundoi Mancini. /abcnews.al