Matthijs De Ligt i ka lënë pas krahëve kritikat e fillim sezonit dhe është rritur shumë. Holandezi është kthyer në një pikë fikse të prapavijës së Juventusit dhe po kalon një moment të mirë. 20-vjeçari, i cili po luan sezonin e parë me “Zonjën e Vjetër”, është rrëfyer për Sky Sport Italia, duke prekur disa tema.
Gjendja e tij, Serie A, sulmuesit me të cilët përballet çdo javë dhe gara për titull. Bardhezinjtë kryesojnë me 4 pikë më shumë se Lazio dhe 8 më shumë se Interi. Të shtunën luhet derbi ndaj Torinos. Dueli i fazës së parë u vendos nga goli i De Ligt, moment kthese për lojtarin e talentuar holandez.
“Ndihem shumë mirë fizikisht dhe në aspektin psikologjik jam në një vend më të mirë. Kjo është thelbësore që gjërat të shkojnë mbarë. Ka sulmues shumë të përgatitur në Serie A. Lukaku është njëri prej tyre, ai është i shpejtë dhe shumë i fortë.
Është edhe Immobile, i cili është shumë i aftë në shënimin e golave. Çdo skuadër ka sulmues të shkëlqyer, të ndryshëm nga njëri-tjetri dhe çdo ndeshje është e komplikuar. I studioj kundërshtarët para çdo takimi, në mënyrë që të jem sa më i përgatitur.
Titulli? Lazio dhe Interi po garojnë me ne për fitimin e titullit. Zikaltrit janë një skuadër e madhe, edhe pse gjenden disa pikë poshtë nesh. Duhet të tregohemi të kujdesshëm, kemi edhe nëntë finale deri në fund. Nuk duhet ta ulim ritmin.
Derbi? Është një ndeshje e veçantë, të dy ekipet duan të fitojnë për qytetin dhe tifozët. Duhet të japim më të mirën tonë, sidomos në mbrojtje. Nuk duhet t’u japim asnjë shans kundërshtarëve. Nuk e harroj derbin e parë, shënova golin tim të parë me Juven dhe arritëm një fitore të madhe.
Ai gol më ndihmoi shumë. Kisha marrë shumë kritika deri në atë moment dhe gjendesha në presion. Goli më ndihmoi shpirtërisht dhe në bëri të lumtur mua dhe shokëve të skuadrës. Falë asaj rrjete u bëra futbollisti që jam sot“, përfundon De Ligt. /abcnews.al