Mbrojtësi holandez Matias De Ligt pritet të zyrtarizohet si futbollist i Juventusit ditën e shtunë. Kostoja e këtij operacioni do të arrijë vlerën e 67 milionë eurove.
Mbrojtësi më në zë i momentit De Ligt pritet të zyrtarizohet si lojtari më i ri i Juventusit këtë fundjavë. 19-vjeçari është kthyer nga pushimet dhe të mërkurën është shfaqur në qendrën stërvitore të Ajaksit.
Mediat në Holandë e bëjnë të sigurtë kalimin e qendërmbrojtësit tek “Zonja e Vjetër”. Shtatlarti holandez mësohet se i ka dhënë lamtumirën shokëve të skuadrës dhe të shtunën do të firmosë për kampionët e Italisë.
Ajaksi do të startojë në fundjavë fazën përgatitore në Austri dhe kapiteni i skuadrës holandeze nuk pritet të udhëtojë me skuadrën pasi transferimi tek Juventus do të zgjatej pafundësisht.
Bardhezinjtë kanë nisur grumbullimin dhe të shtunën do të bashkohen me skuadrën edhe Cristiano Ronaldo me Blaise Matuidi ndërkohë që parashikohet që të kryejë testet mjekësore edhe De Ligt. Oferta e fundit e Juventusit për mbrojtësin është 67 milionë euro përfshi edhe bonuset, të cilat do të paguhen në bazë të arritjeve të futbollistit.
Ajaks kërkon 75 milionë, por palët mund të gjejnë shumë shpejt gjuhën e përbashkët. De Ligt pritet të firmosë me Juventusin një kontratë pesëvjeçare me 12 milionë euro në sezon duke u shndërruar në lojtarin e dytë më të paguar në kampionatin italian pas Ronaldos që përfiton 31 milionë euro neto në sezon tek Juventus./ABC News Albania 24/7

