De Ligt: Objektivi i vetëm vendi i dytë, ëndërr të jem kapiten i Juventusit

schedule18:39 - 30 Prill, 2021

schedule 18:39 - 30 Prill, 2021

Matthijs De Ligt është shndërruar këtë sezon në një lojtar mjaft të rëndësishëm për Juventusin dhe është projektuar si kapiteni i ardhshëm i bardhezinjve. Në lidhje me këtë dhe çështje të tjera talenti holandez ka folur për mediet italiane.

“Tani nuk kemi shanse për të fituar titullin dhe duhet të pretendojmë vendin e dytë. Fokusi ynë është atje. Mendoj se një nga cilësitë e mia është të shënoj gola dhe nuk jam i lumtur që kam bërë vetëm një deri në këtë pikë të sezonit. Dua të përmirësohem në këtë pjesë.

Edhe si ekip kemi nevojë të përmirësohemi në këtë aspekt, që nga ai që e gjuan goditjen e këndit, deri te ne që presim në zonë. Në ndeshjet e mbetura dua të shënoj sa më shumë për të ndihmuar ekipin. Për mua është nder të luaj me Juventusin dhe të mendoj se një ditë do të jem kapiteni i kësaj skuadre.

Por kjo nuk është e rëndësishme tani, duke ditur se janë katër kapitenë në skuadër dhe që kanë shumë përvojë e kanë luajtur prej sezonesh me Juven. E rëndësishme për mua është të paraqitem mirë në fushë, të ndihmoj ekipin dhe pastaj është trajneri ai që vendos se kush do të jetë kapiten”, u shpreh De Ligt. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!