Mbrojtesi i skuadrës së Juventusit, De Ligt ka theksuar se do ta ketë tepër të vështirë të luajë si titullar. Holandezi rithekson se Ronaldo nuk ndikoi në vendimin e tij për të kaluar tek bardhezinjtë.
Juventus shpenzoi plot 70 milionë euro për të nënshkruar me mbrojtësin e talentuar Matias De Ligt. Një investim tepër i rëndësishëm për bardhezinjtë të cilët kanë bërë një goditje të madhe në repartin difensiv. De Ligt është aktivizuar në dy ndeshje miqësore me bardhezinjtë në turin përgatitor që italianët po zhvillojnë në Azi.
Gjatë një interviste të dhënë për Tutosport, mbrojtësi holandez tregon gjithçka rreth aventurës së deritanishme me kampionët e Italisë dhe vështirësitë që do të përballet për të luajtur si titullar.
“Ndihem mjaft mirë me shokët e skuadrës. Ka shumë lojtare me eksperiencë dhe kjo më lumturon. Të gjithë futbollistët kanë një nivel për t’u admiruar. E shoh shumë të vështirë të luaj titullar me kaq lojtarë të fortë. Nuk e di nëse Juventus ka mbrojtjen më të fortë në botë. Duhet të luftojmë për vendin e titullarit. Pritshmëria për mua është e madhe, por nuk mendoj aspak për këtë. Dua vetëm të fokusohem në fushën e blertë. Po punoj fort që të përmirësohem çdo ditë. E ritheksoj dhe një herë tjetër se Ronaldo nuk ka qenë arsyeja kryesore që unë kam zgjedhur për të luajtur me Juventusin. Kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë që zgjodha të luaj me Juventusin. Është e vërtetë që më ftoi tek bardhezinjtë, por nuk ndikoi në vendimin tim pasi e kisha zgjedhur prej kohësh që do të transferohesha në Torino”.
De Ligt pritet të formojë qendrën e mbrojtjes me Kelinin në sezonin e ardhshëm ndërkohë që i sakrifikuari do të jetë Leonardo Bonuçi./ABC News Albania 24/7