Trajneri që çoi Shqipërinë në Europianin e Francës i rikthehet edhe njëherë përballjeve me Francën, por këtë radhë në aspektin e një opinioni. Franca është favorite, por Shqipëria duhet të luajë pa frikë. Ata janë po aq të fortë sa katër vite më parë, thotë ndër të tjera trajneri që bëri histori.
Ish-trajneri i skuadrës kombëtare të futbollit Gianni De Biasi, me bilanc pozitiv në përballjet e tij me Francën, kthehet sërish të komentojë në lidhje me sfidën zyrtare eliminatore të së shtunës në “Stade de France” me kampionët. Sipas tij, skuadra kundërshtare është po kaq e fortë, por shumë më e pjekur se atëherë. Në një prononcim për neësport, De Biasi theksoi se Shqipëria do të bëjë lojën e saj, duke besuar te ajo që trajneri ka menduar të hedhë në fushë.
“Ndeshjet asnjëherë nuk duhen nënvlerësuar, ato duhen luajtur. Është e qartë se në këtë takim favoritë janë francezët. Unë besoj se Franca është sot aq e fortë sa ishte 4 vite më parë. Vetëm se tani skuadra është më e pjekur. Trajneri Edy Reja është një person i zgjuar dhe i aftë. Ai është një trajner ekspert. Unë mendoj se ai do të jetë në gjendje të përfitojë sa më shumë nga ky grup i lojtarëve që ka në dispozicion. Varet shumë se sa lojtarët do të përfshihen në këtë ndeshje dhe varet sa të vendosur janë për të dhënë gjithçka në fushën e lojës”, tha ai.
Nën drejtimin e trajnerit që dërgoi Shqipërinë në Europian, De Biasi, skuadra kombëtare kuqezi ka arritur një fitore në miqësoren në “Elbasan Arena”, barazim në miqësoren në Rene 1-1 dhe humbjen në ndeshjen e dytë në grup në fazën finale të Europianit 2016, 2-0. Tashmë një tjetër sfidë, shumë e vështirë, por me Shqipërinë që luan shanset e saj të fundit, dhe Franca që kërkon të mbyllë kapitullin kualifikim./ABC News Albania 24/7