Daut Haradinaj për ditën kur u vra Luani: Plakut e Shkëlzenit u thashë mbahuni fort

schedule23:53 - 9 Gusht, 2021

schedule 23:53 - 9 Gusht, 2021

Ish-komandanti në rajonin e Dukagjinit, Daut Haradinaj, ka rrëfyer për 6 majin e vitit 1997, dita kur kishte rënë njëri prej luftëtarëve më të shquar të UÇK-së, Luan Haradinaj, derisa po kalonte kufirin Kosovë-Shqipëri.

Haradinaj, në rrëfimin për Pressing, ka thënë se sinjalet e para që vëllai i tij Luante mund të jetë vrarë i kishte marrë nga mësuesit e tij në gjimnazin në Isniq, ku ai po merrte pjesë në një turnir futbolli.

“Atë ditë kam qenë në shkollë, në gjimnaz në Isniq… kam qenë në fushë duke luajtur dhe kam dalë prej loje ku jam takuar me profesor Ali Haxhosën, Bajram Dacin e Faik Dodën dhe disa profesorë të nderum. Më thanë që diçka po dyshohet që ka ndodh, që një student i Dukagjinit, gjatë rrugë Pejë-Shqipëri ka ra n’pritë. Ata dyshonin që u plagosë, jo që u vra”, ka rrëfyer Haradinaj.

Haradinaj tha se e kishte kuptuar që ky rast lidhej me dy vëllezërit e tij, Ramushin dhe Luanin, por nuk e dinte ende se për vrasjen e cilit bëhej fjalë. Ai rrëfeu edhe për porosinë që ia kishte dhënë vëllait të tij Shkëlzenit dhe babait Hilmiut.

“Kur shkova në shtëpi, u mundova me ua bë me dije. Më së pari Shkelzenit, pastaj plakut. U thashë duhet me u mbajtë të fortë sepse po flitet që djemtë kanë ra në pritë. Pas pak, u bë publike, doli edhe në mediat e asaj kohe që u vra Luan Haradinaj. Pastaj e hapëm të pamën”, ka thënë Haradinaj./Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!