Organizimi i dasmave në kohë pandemie u ka kushtuar shtrenjt këtë vit shumë pronarë lokalesh, të cilët janë gjobitur ose u është pezulluar për një kohë aktiviteti i tyre.
Në vijim të këtij aksioni policia ka gjobitur dy pronarë subjektesh në Krujë me nga një milionë lekë gjobë për shkak se kanë ushtruar aktivitet në lokalet e tyre, në kundërshtim me aktin normatriv.
Gjithashtu një nga lokalet është pezulluar për një periudhë 6 mujore.
Njoftimi i plotë:
Vijojnë kontrollet nga Policia e Krujës për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Ndëshkohen me masë administrative me nga 1 milion lekë, 2 pronarë subjektesh dhe me mbyllje aktiviteti për një periudhë 6-mujore, 1 prej tyre, pasi u konstatua duke ushtruar aktivitet në mënyrë të përsëritur me Aktin Normativ.
Shërbimet në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar në Krujë, subjektin në pronësi të shtetasit L.C., i cili në mënyrë të përsëritur organizonte ceremoni familjare.
Për këtë subjekt, shërbimet e Policisë Krujë, kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë dhe mbyllje të aktivitetit për një periudhë 6-mujore.
Për subjektin me pronar shtetasin A.V., shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë, pasi ka organizuar ceremoni familjare në kundërshtim me Aktin Normativ.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjith pronarët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19./abcnews.al