Shumëkush e ka dashurinë e jetës. Xhiro e Italisë mund të konsiderohet si gara e dytë më e rëndësishme e çiklizmit në botë, pas Turit të Francës, por për emocionet, traditën dhe gjithçka tipike italiane shpesh vlerësohet po aq sa tjetra.
Ky edicion ka tri etapa që ka filluar, dhe nisja ishte sërish nga Ballkani. Jo më në rrugën e Shqipërisë, siç ndodhi vjet me etapat në Tiranë, Elbasan si dhe në Vlorë nëpër Llogara, porse në Bullgari.
Kryeqyteti i vendit, Sofia, i bëri një përcjellje të jashtëzakonshme Xhiros, ashtu si edhe ata që e ndoqën itinerarin e çiklistëve në gati 550 kilometra nëpër tokën bullgare, ku gjithashtu natyra ka bukuritë e saj.
“La Gazeta delo Sport” i bën një falenderim kryeqytetit bullgar, duke theksuar se 250 000 njerëz përcollën klasiken e madhe të këtij sporti.
Do të jenë gjithsej 3459 kilometra, të cilat do të kalojnë edhe nëpër malet e Apenineve e sidomos të Alpeve, si dhe në qytetet e shkëlqyera e historike si Napoli, Milano, Romë, për të shkelur sado pak edhe në Kanton Tiçino në Zvicër.
Favorit për të fituar Xhiron është padyshim danezi Vingegard, në mungesë të numrit 1 të çiklizmit në botë, Tadej Pogaçar, që ka zgjedhur ekskluzivisht Turin e Francës. Fanelën Rozë e mban uruguajani Gijermo Tomas Silva, ndërsa etapën e tretë nga Plovdivi në Sofie e fitoi francezi, Pol Manjie, i cili fitoi edhe etapën e parë. Këtë të martë është një etapë fushore në Kalabri, ndërsa për maloren e parë duhet pritur deri në 15 maj kur Xhiro të ngjitet në Apeninet qendore në Abruco./abcnews.al


