Departamenti amerikan i Shtetit, duke komentuar takimin e presidentit të entitetit të Republikës Sërpska të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik dhe presidentit rus Vladimir Putin, deklaroi se “asnjë qeveri, në asnjë nivel, në këtë moment nuk duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë, ndërkohë që ai vend po kryen agresion kundër Ukrainës”.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha për Zërin e Amerikës se vendimi i Dodikut për t’u takuar me Putinin, “në kohën kur Rusia shkel haptazi themelet dhe ligjet e rendit ndërkombëtar, si dhe vendimi i mëparshëm të Dodikut për të nderuar Putinin, janë lëvizje shkurtpamëse që nuk u shërbejnë interesave të qytetarëve të Republikës Sërpska”, shkruan REL.
“Rruga që të çon drejt një të ardhmeje demokratike, të begatë dhe të sigurt, të cilën e dëshirojnë të gjithë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës, kalon përmes Brukselit, jo përmes Moskës. Prandaj, ne e konsiderojmë rrugën e Dodikut kundërproduktive dhe mbi të gjitha të dëmshme”, tha zëdhënësi i Departamenti i Shtetit.
Dodik tha në Moskë të martën se Republika Sërpska vazhdon të mbetet pro-ruse, antiperëndimore dhe antiamerikane.