DASH: Marrëveshja e Serbisë me Rusinë, e gabuar

schedule18:30 - 29 Shtator, 2022

schedule 18:30 - 29 Shtator, 2022

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se SHBA-ja beson që asnjë vend nuk duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë ndërkohë që ajo vazhdon agresionin e saj në Ukrainë.

Të premten ministri i Jashtëm serb Nikola Selakoviç nënshkroi marrëveshjen për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme me ministrin e jashtëm rus Sergey Lavrov. Marrëveshja u nënshkrua ndërsa dy ministrat ndodheshin në Nju Jork për të marrë pjesë në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku shumica e delegacioneve perëndimore shmangën kryediplomatin rus për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë.

“Lajmi për këtë marrëveshje të nënshkruar me Rusinë ishte befasues dhe në kundërshtim të plotë me takimet e tjera konstruktive në Nju Jork me zyrtarët serbë. Përafrimi i mëtejshëm me Rusinë është një hap në drejtimin e gabuar dhe në kundërshtim me aspiratat evropiane të deklaruara të Serbisë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Të hënën ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill tha se gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Shtetet e Bashkuara zhvilluan “bisedime të frytshme” me delegacionin e Serbisë për çështje globale por edhe çështje tjera dhe më pas morën vesh për marrëveshjen e cila nxiti reagime edhe të politikanëve të Bashkimit Evropian.

Serbia, një kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, varet nga Rusia për furnizimet e saj me gaz natyror dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Kremlini mbështet Beogradin në kundërshtimin e tij të vazhdueshëm ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës, që u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin fuqishëm synimin e Serbisë për anëtarësim në BE. Rusia qartazi nuk e mbështet anëtarësimin në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kërkon vetëm të mbjellë ndarje në rajon. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është plotësisht brenda BE-së dhe zgjerimi i saj promovon paqen, qëndrueshmërinë dhe përparimin afatgjatë në të gjithë rajonin. Serbia duhet të përshpejtojë hapat për të çuar përpara rrugën e saj evropiane, duke përfshirë diversifikimin e burimeve të energjisë për të zvogëluar varësinë e saj energjetike nga nga Rusia dhe përafrimin e politikave të saj të jashtme dhe të sigurisë me BE-në”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Serbia u përpoq të ulë rëndësinë e marrëveshjes me Rusinë dhe të mërkurën presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se “një dokument burokratik, pa asnjë rëndësi thelbësore…. u përdor nga mediat për ta sulmuar Serbinë”.

Deputetë të Parlamentit Evropian thanë se “BE-ja nuk mund të vazhdojë negociatat e anëtarësimit të Serbisë nëse ajo nuk vihet në linjë me sanksionet e BE-së kundër Rusisë”, duke paralajmëruar se ky qëndrim do të jetë pjesë e raportit të radhës mbi zgjerimin e bllokut./VOA