Daril Impej fiton etapën e 9-të të Turit të Francës

schedule14:04 - 15 Korrik, 2019

schedule 14:04 - 15 Korrik, 2019

Çiklisti Daril Impej nga Afrika e Jugut fitoi në ditën e 9-të të Turit të Francës. Ai triumfoi pas një shkëputjeje të gjatë, ndërsa në krye të renditjes mbetet francezi Alafilip.

Nuk ishte ndër etapat më të vështira, por pati shumë emocion. Një shkëputje e fortë dhe e gjatë ndodhi në ditën e 9-të të Turit të Francës, në kodrat që zbresin drejt Jugut, nga Sent Etieni në Brijud. Plot 15 çiklistë lanë pas grupin kryesor, në etapën prej 170 kilometrash, për të mos u mbërritur më, ndërsa fitorja I takoi një sportisti nga Afrika e Jugut, diçka që ndodhte pas 12 vjetësh.

Daril Impej, 34 vjeç, pati ditën e tij të lavdisë duke përballuar distancën e gjatë dhe të lodhshme të shkëputjes, e duke bërë lëvizjen vendimtare vetëm disa qindra metra nga përfundimi. Etapa pati ngjarje, pasi italiani Alesandro de Marki, tri herë fitues i Vueltës së Spanjës, u rrëzua dhe u dërgua në spital me dëmtime në fytyrë.

Çiklistët e shkëputur e përfunduan garën 16 minuta para grupit të pretendentëve, ndërsa Impej u tregua dinak. Ai bëri si i lodhur në maloren e fundit në Kodrën e Sen Zhystit, por pastaj bëri një pedalim të fortë për të lënë pas belgun Beno dhe irlandezin Rosh.

Renditja e përgjithshme e Turit nuk ndryshoi, pasi në kryesim mbeti francezi Zhylian  Alafilip që mbajti Bluzën e Verdhë, i ndjekur nga italiani i ri, Xhulio Çikone, që është vetëm 23 sekonda prapa, ndërsa kampioni në fuqi, britaniku Xhereint Tomas është i pesti me një vonesë prej më shumë se 1 minute./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!