Kosova zbret në fushë për ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve. Në orën 20:45, skuadra e drejtuar nga Franco Foda do të luajë kundër Irlandës në “Fadil Vokrri”, ndërsa përpara tifozëve të saj kërkon të nisë me fitore turneun, që ofron edhe rrugë tjetër drejt Kampionatit Europian. Ky është edhe objektivi madhor për “Dardanët”, që kthehen në aksion pasi “flirtuan” me finalet e Kupës së Botës.
“Sigurisht që i njohim kualitetet dhe cilësitë e Irlandës. E dimë se si ka luajtur në ndeshjet e fundit. I kemi analizuar me shumë vëmendje të gjitha ndeshjet. Avantazhi është se luajmë në shtëpi. Dëshirojmë t’i fitojmë të gjitha sfidat, por do të shohim si do të shkojë loja. Ndoshta mund të pajtohemi edhe me barazim, por qëllimi është të fitojmë”, tha Franco Foda.
Foda zbuloi edhe kapitenin e ri, që merr shiritin pas tërheqjes me polemika të Amir Rrahmanit.
“Kapiteni i Kombëtares do të jetë Vedat Muriqi. E kemi diskutuar me lojtarët. I dyti do të jetë Mërgim Vojvoda”, shtoi ai.
Kosova pret sfidën e parë në Ligën e Kombeve me të gjithë lojtarët në dispozicion. Të 27 lojtarët e thirrur janë në dispozicion, ndërsa Foda ka bërë zgjedhjen e parë duke dërguar në tribunë Leard Sadriu, Lindon Emërllahu, Meriton Korenica dhe Vesel Demaku.
Përveç Irlanës, “Dardanët do të luajnë në grupin e tyre në Ligën B kundër Austrisë dhe Izraelit në transfertë, ndërsa mbyllin xhiron e parë të ndeshjeve sërish në shtëpi më 4 tetor sërish ndaj Austrisë për ndeshjen e kthimit.

