Danimarka vendos shërbimin e detyrueshëm ushtarak për gratë. Nga viti 2026 e në vazhdim gratë mund të thirren për shërbim ushtarak. Kjo masë synon të rrisë aftësinë mbrojtëse të vendit.
Danimarka do të shtojë numrin e rekrutëve për Ushtrinë Daneze dhe për Agjencinë Daneze të Mbrojtjes Civile. Nga rreth 4,700 vetë tani, ky numër duhet të shkojë në 7,500 vetë. Prandaj ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, tha se duke nisur nga vitit 2026 gratë duhet të kryejnë shërbimin e detyruar ushtarak në të njëjtat kushte si burrat.
Ai tha se nëse për shërbimin e detyruar ushtarak nuk paraqiten një numër i mjaftueshëm vullnetarësh, gratë mund të rekrutohen edhe me detyrim.
Sipas këtij vendimi femrat që mbushin 18 vjeç pas 1 korrikut të këtij viti mund të rekrutohen për shërbim ushtarak gjatë vitit 2026. “Barazia është e mirë dhe rrit mundësinë e ndërtimit të fuqisë luftarake në mbrojtjen daneze,” i tha ministri për të përditshmen daneze Jyllands-Posten.
Në Danimarkë shërbimi i detyrueshëm ushtarak zbatohet deri tani vetëm për burrat e moshës 18 vjeç e lart. Për gratë deri sot shërbimi ushtarak nuk është i detyrueshëm, por ato mund të regjistroheshin vullnetarisht për të marrë pjesë në këtë shërbim. Gratë përbëjnë 25 për qind të rekrutëve të ushtrisë daneze.