Tre të dyshuar piratë u ndaluan për gjashtë javë nga një anije luftarake daneze në brigjet e Afrikës Perëndimore dhe u liruan më det në një gomone të vogël. Ata u kapën në nëntor në një shkëmbim zjarri fatal në Gjirin e Guinesë. Forcat e Armatosura Daneze thanë se nuk gjetën asnjë shtet në rajon që donte t’i merrte piratët e dyshuar.
Ata vendosën më vonë që t’i linin burrat afër ujërave nigeriane me ushqim dhe karburant të mjaftueshëm për të mbërritur në breg. Sipas autoriteteve daneze shkëmbimi i zjarrit ndodhi në 24 nëntor dhe piratët e dyshuar sulmuan një anije me kontejnerë. Forcat ushtarake daneze që ndodhen në zonë si pjesë e një operacioni për të mbrojtur anijet nga sulmet pirate vranë 4 burra dhe një i pestë ra në bord.
Katër të tjerë u ndaluan dhe u akuzuan që sulmuan forcat ushtarake daneze, por këtë akuzë ata e mohuan raporton “BBC”. Një nga të dyshuarit u çua në Gana kur ju pre këmba dhe do të transferohet në Danimarkë për tu përballur me akuzën e vrasjes në tentativë. Ministri i Drejtësisë së Danimarkës tha se ata mendonin që nuk mund ta lëshonin atë në mënyrë të sigurt në det.
Akuzat për tre të tjerë ranë dhe këtë e konfirmuan avokatët e tyre për “AFP-në”. Avokatja e të dyshuarit të arrestuar kritikoi vendimin që të mbaheshin akuzat kundër tij dhe i tha medias lokale që është e padrejtë që 4 burra të trajtohen në mënyrë të ndryshme. Ministri i Drejtësisë Nick Haekkerup mbrojti vendimin dhe tha se nëqoftëse burrat do të transferoheshin në Danimarkë rrezikohej që ata të mos deportoheshin.
Kjo është hera e parë që Danimarka transferon një pirat të dyshuar në territorin e saj. Ajo nuk ka marrëveshje ekstradimi me vendet përreth Gjirit të Guinesë. Gjiri i Guinesë që është i njohur për anijet që transportojnë naftë dhe gaz është njohur si pikë e nxehtë pirateria prej disa vitesh. / abcnews.al