Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka deklaruar se Evropa nuk do të shantazhohet, në një reagim të fortë pas kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave tregtare ndaj disa vendeve evropiane, nëse ato kundërshtojnë planet e tij për marrjen nën kontroll të Grenlandës, raportoi BBC.
Në një postim në Facebook, Frederikseni shkroi se Danimarka kërkon bashkëpunim dhe jo konflikt, duke përshëndetur mesazhet e qarta nga vendet e tjera evropiane.
“Evropa nuk do të shantazhohet. Është edhe më e rëndësishme që të qëndrojmë të palëkundur në vlerat themelore mbi të cilat është ndërtuar bashkësia evropiane”, theksoi ajo.
Deklaratat vijnë ndërsa vendet anëtare të BE-së zhvilluan një takim urgjent në Bruksel.
Trumpi ka kërcënuar me vendosjen e një tarife 10% ndaj mallrave nga këto vende, duke filluar nga 1 shkurti, me mundësinë që ajo të rritet deri në 25% dhe të mbetet në fuqi deri në arritjen e një marrëveshjeje.


