Nesër në 20:00 në stadiumin “Mapei” luhet finalja e Superkupës së Italisë mes Juventusit dhe Napolit. Përpara kësaj sfide në konferencë për shtyp doli një nga më të mirët e bardhezinjve, Danilo.
Mbrojtësi foli për humbjen e kaluar ndaj Interit dhe tregoi se Juventusi duhet të tregojë nesër se janë një skuadër e fortë dhe në gjendje të fitojnë ndaj çdo kundërshtari, pavarësisht mungesave të De Ligt dhe Demiral.
“Duhet të jemi ndryshe nga paraqitja kundër Interit, të përqendruar nga minuta e parë në minutën e fundit sepse duhet t’i luajmë këto ndeshje me guxim dhe duke luajtur mirë me topin.
Ne kemi treguar tashmë këtë sezon që mund të rritemi për ndeshjet e mëdha dhe të kemi një ekip të fortë. Nesër kemi një mundësi të shkëlqyer për të provuar jo atë që duam të jemi, por atë që jemi.
Nuk ishte i denjë për Juventusin ajo humbje ndaj Interit, por nesër mund të tregojmë se çfarë mund të bëjmë dhe kjo është të fitojmë.
Mungesa e Demiral? Kemi një skuadër konkurruese me shumë lojtarë të talentuar, kështu që nuk po kërkojmë justifikime. Kemi lojtarë që mund të bëjnë mirë dhe të fitojnë ndeshjen nesër.
Na është dashur të merremi me mungesat gjatë gjithë sezonit. Është e qartë se do të na mungojnë Demiral dhe De Ligt në mbrojtje, por kemi Chiellinin dhe ai bëri shumë mirë kundër Interit dhe Leonardo Bonuçi gjithashtu”, u shpreh Danillo. /abcnews.al