Dani Alves: Tani flas lirshëm, si mund të mos e respektoj Ronaldon?!

schedule10:52 - 24 Shtator, 2022

schedule 10:52 - 24 Shtator, 2022

Dani Alves ka vlerësuar yllin e Manchester United, Cristiano Ronaldon. Për vite të tëra ata kanë qenë rivalë në LaLiga, ku luanin për Real Madrid e Barcelonën. Tani braziliani që aktivizohet në Meksikë flet më lirshëm.

“Mua më pëlqen shumë Cristiano Ronaldo. tani që nuk jam te Barça dhe nuk është dueli i famshëm kundër Real Madrid, mund të shprehem lirisht. Për të gjithë ne që nuk kemi atë kualitetin e jashtëzakonshëm, Cristiano personifikon punën.

Ai vërteton se me punë mund të arrihet gjithçka, madje të sfidosh edhe më të mirët. Ai është shembulli më i mirë për këtë. E respektoj shumë dhe kur jemi takuar në fushë si kundërshtarë kam pasur mundësinë t’ia them diçka të tillë”.

Dani Alves flet edhe për ndonjë “fërkim” që kanë pasur: “Në të kaluarën kemi pasur mosmarrëveshje, ai nuk më përshëndeti njëherë në ceremoninë e Topit të Artë. Gjithesi nuk ishte ndonjë gjë e madhe. Si mos të respektoj unë dikë që gjithçka e ka arritur me punë, unë identifikohem me të. Gjithçka në jetën time e kam bërë duke u bazuar tek puna.

Nëse do të krahasoheshim, unë ngjasoj me Ronaldon më shumë se sa ngjason Messi me të. Kjo për faktin e kulturës së punës. Kam punuar të gjithë jetën për të arritur ato suksese, nuk isha talent i pastër. Puna bën që Ronaldo konkurrojë me Messin dhe me këdo tjetër”. / abcnews.al