Politika e jashtme mbetet dhe pika më e qartë e ndryshimit mes presidentit amerikan Trump dhe kandidatit demokrat Biden. Por aktualisht askush në vend nuk e sheh si prioritet, pasi votuesit janë të përqendruar në krizën shëndetësore, raporton euronews
Amerika në vend të parë. Që nga dita e parë në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump është betuar se do të vendosë interesat e vendit të tij para çdo gjëje. Një qëndrim që reflektohet dhe në disa teza të shkëmbyera në Twitter me liderin e Koresë së Veriut.
Por me një lëvizje që ka befasuar botën, retorika e tij u zbeh duke u transformuar në një hap më pranë pajtimit historik. Gjatë presidencës së tij Trump është takuar me Kim Jong Un tre herë.
Është e pamundur që Joe Biden vijojë në këtë drejtim. Fjalët e shprehura nga ana e kandidatit demokrat për diktatorin e Koresë së Veriut, nuk kanë asnjë lidhje me mirësjelljen.
Gjatë presidencës së Trump, marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kinën kanë prekur nivelin më të ulët të dekadave të fundit, sidomos në kontestin e një lufte tregtare. Fajësimi i Pekinit nga ana e presidentit amerikan për sa i përket pandemisë, përshkallëzoi tensionet duke ngrirë dhe negociatat tregtare.
Biden shprehet se do të vazhdojë të ushtrojë presion ndaj Kinës, por me një qasje ndryshe duke përfshirë aleatët e amerikanëve. Kandidati demokrat u shpreh se Trump kundërshtoi sanksionimin e qeverisë kineze kur bëhej fjalë për shkeljen e të drejtave të njeriut, në mënyrë që të mbronte marrëveshjen e tij për tregtinë e lirë si dhe interesat personale, transmeton abcnews.al
Biden premton se do të jetë i fortë atje ku Trump ka qenë i dobët dhe se do të mbrojë vlerat e Amerikës dhe popullit të saj.
Por ndryshimi më i madh mes dy kandidatëve është më i dukshëm kur flitet për Rusinë. Trump shpesh herë ka hezituar të kritikojë presidentin Putin, dhe në momentin kur shërbimet sekrete amerikane deklaruan se Kremlin kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës.
Biden shpesh përsërit se do të ndjekë një linjë më të ashpër me Moskën, duke e bërë të kuptojë se SHBA nuk heq dorë. Ndërsa Trump sipas tij është qenushi i Putin.
Por duket e pamundur që demokrati të tërhiqet nga një prej lëvizjeve më të forta të presidencës Trump në politikë të jashtme: transferimi i ambasadës amerikane në Izrael nga Tel Aviv në Jeruzalem.
Biden do të donte të përmirësonte marrëdhëniet me aleatët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shumë prej të cilëve janë kritikuar ashpër nga rivali i tij.
Për votuesin mesatar amerikan marrëdhëniet e jashtme rrallë përbëjnë prioritet elektoral, aq më tepër tani në një krizë ekonomike dhe shëndetësore të paprecedentë për vendin./abcnews.al