Dallas mposht Golden State

schedule18:20 - 24 Mars, 2019

schedule 18:20 - 24 Mars, 2019

Talenti nga Sllovenia, Luka Donçiç, ndihmoi Dallasin që të fitonte thellë ndaj Golden Stejtit. Kampionia e basketbollit amerikan ndjeu mungesën e yllit të saj kryesor.

A mundet që thjesht mungesa e Stefën Kërrit të shkaktojë një “tërmet” të tillë? Golden Stejt Uorriors pësoi një disfatë të turpshme në shtëpi ndaj Dallasit, me shifrat 91-126, pra me 35 pikë diferencë, duke humbur edhe vendin e parë në Konferencën Perëndimore.

Edhe pse në fushë ishin yjet e tjerë, Durant, Tompson, Kouzins apo Grin, sërish kampionët u dukën më keq se Klivlendi apo Nju Jorku. Dallasi u mbështet tek dyshja e tij e veçantë europiane, Luka Donçiç-Dirk Novicki. I pari 19-vjeçar, i dyti që i ka kaluar 40 vite mbi super.

Adoleshenti slloven realizoi tripëll dabëllin e gjashtë në sezonin e tij debutues në NBA, me 23 pikë, 11 topa në tabela e 10 asistë, duke shtuar edhe 3 vjedhje topi. Pavarësisht se Dallasi këtë vit nuk ka qenë aspak mirë, sërish paraqitja e talentit nga Europa është mbresëlënëse.

Ai ka mesataren sezonale prej 21 pikësh në 32 minuta për ndeshje, e po ashtu ka 7.6 topa në tabela si dhe 5.8 pasime për kosh për çdo takim. Në krah të tij, Novicki pati 21 pikë, plus 5 topa në tabela e 2 bllokime gjuajtjesh, e gjitha kjo në vetëm 21 minuta lojë.

Gjermani 40-vjeçar u tregua i saktë në pesë gjuajtje për tri pikë, një nga specialitetet e tij, pavarësisht shtatlartësisë prej 2 metrash e 13 centimetrash./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!