Ditën e djeshme është bërë rikualifikimi i veprës në rastin e vrasjes së të riut Agonis Tetaj nga Deçani, nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje nga pakujdesia”. Kjo ka sjellë edhe reagimin e familjes së viktimës të cilët u janë drejtuar me një letër publike kryeprokurorit të shtetit dhe ambasadorit të SHBA-së, Britanisë e Gjermanisë në Prishtinë.
Babai i viktimës, Isuf Tetaj, në letrën në fjalë akuzon prokurorin e rastit, Agron Uka, se ka manipuluar rastin e vrasjes së të birit. Në letër, Tetaj ka bashkëngjitur edhe aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Pejës ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj.
Ai kërkon që të përjashtohet prokurori Agron Uka nga çështja si dhe që të vendoset gjykim meritor lidhur me vrasjen e djalit të tij.
Kujtojmë se Shaban Gogaj akuzohet nga Prokuroria e Pejës për vrasjen e Agonis Tetaj në shtatorin e vitit 2018 në kompaninë “Gogaj Ag” dhe për armëmbajtjes pa leje. Përveç Gogaj, për armëmbajtje pa leje, akuzohet edhe i pandehuri Isuf Cacaj. sb/abcnews.al/