Somnio 221 metra pritet të jetë jahti më i madh që lundron në dete, kur të mbarojë në vitin 2024. Ky mega-jaht ka 39 apartamente, të cilat do të shiten me çmime që fillojnë nga 11 milionë dollarë.
Somnio, i quajtur sipas fjalës latine për “ëndërr”, me një kosto prej 600 milionë dollarë, është projektuar nga Winch Design dhe Tillberg Design dhe është prodhuar nga VARD norvegjeze.
Secili nga 39 apartamentet lundruese ka një ballkon ose tarracë private, ndërsa apartamentet kanë shtretër të mëdhenj në formë guaskash, dhoma të mëdha me pamje nga oqeani dhe mure të tëra të mbuluara me pasqyra.
Blerësit do të punojnë me dizajnerët deri në tre muaj për të vendosur gjithçka që do të hyjë në apartamentin e tyre, nga dekorimi i ambienteve deri te materialet, mobiljet, ndriçimi dhe veprat e artit.
Apartamentet janë nga 150 m2. deri në 600 m2, ku më i madhi zë pothuajse të gjithë katin më të lartë të varkës.
Ndër zonat ku të gjithë pronarët do të kenë akses është një bodrum me 10,000 shishe verë, një spa, një kinema dhe restorante.
Pronarët do të paguajnë një shumë çdo vit për të mbuluar shpenzime të tilla si mirëmbajtja e varkës dhe furnizimi i saj me ushqim dhe karburant.
Siç tha për CNN Travel një përfaqësues i projektit, interesi për Somnio është i madh dhe në fakt disa prej apartamenteve tashmë janë shitur./abcnews.al