TIRANË – Janë publikuar analizat e Institutit të Shëndetit Publik për ujin e pijshëm në Krujë, që çoi në helmimin e qindra qytetarëve.
ISHP ka dalë në përfundimin se uji kishte prani të bakterit “enterokok”. Kjo sipas tyre ka ardhur për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe përzierjen e ujërave.
“Eshtë një epidemi e shkaktuar nga uji si rezultat i ndotjes së ujërave sipërfaqësore të shirave të rëna para pak ditësh dhe që kanë bërë interseptimin me ujërat e pijshëm të ujësjellësit të Krujës. Këto janë rezultatet zyrtare”, deklaroi Ulqinaku.
Në një deklaratë për mediat, nën drejtori i ISHP, Dritan Ulqinjaku, u shpreh se sot situata është shumë e qetë dhe qytetarët nuk kanë më probleme shëndetësore.
“Nga analizat e para nga ISHP në një pikë të Ujësjellësin e Krujës dhe ka rezultuar se ka pasur prezencë të bakterit enterokok. Situata sot që ne flasim është shumë e qetë, pothuajse ka mbaruar çdo shqetësim në urgjencën dhe në spitalin e Krujës. Mendojmë se është një epidemi e shkaktuar nga uji, pas ndotjes së ujërave sipërfaqësor”, tha ai.
Nën drejtori i ISHP tha se mostra për analizat është marrë pas ndërhyrjes së Ujësjellësit të Krujës ku janë dezinfektuar dhe klorifikuar depot.
“Kemi konstatuar në një pikë, por mund të themi se rezultatet kanë ardhur pas ndërhyrjes së ujësjellësit të Krujës. Kam bindjen se nuk do të ketë asnjë problem për qytetarët në ditët në vijim”, shtoi Ulqinaku.
Për këtë situatë nën drejtori i ISHP tha se përgjegjësia për këtë situatë bie mbi Ujësjellësin e Krujës.
“Është një epidemi hidrike dhe besoj se përgjegjësia bie mbi ujësjellësin e Krujës, duhet të kishte reaguar në kohë që me turbullirën e parë që është shkaktuar”, tha ai.
“Uji kishte prani të bakterit ‘enterokok’ për shkak të shirave të ditëve të fundit. Epidemi hidrike, duhet të ishte vepruar më shpejt nga autoritetet. Bakteri ‘enterokok’ ishte i pranishëm vetëm në një pikë. Bakteri ‘Enterokok’ reagon shumë mirë nga dezinfektantët” tha Ulqinjaku. /abcnews.al/