Vlerësimet janë nga më të ndryshimit, por suksesi I tij ka qenë absolut.
Mirlind Daku cilësohet si një nga emrat më të rëndësishëm të fazës së transferimeve në Rusi, me një vlerë që është rritur shumëfish pas një viti të shkëlqyer në Premier Ligë me Rubinin.
Trajneri I tij, Rashid Rahimov, pyetet për të ardhmen e sulmuesit kuqezi, dhe thotë se klubi do të bëjë gjithçka për ta mbajtur, ndonëse mund të ketë oferta të rëndësishme, dhe vetë lojtari mund të shprehë dëshirën për t’u larguar.
Rahimov thekson se Rubini e mori Dakun vetëm 1.2 milionë euro, ndërsa sipas tij, vlera e kartonit të shqiptarit ka shkuar 15 herë më shumë.
Nga kjo mund të nxirret përfundimi se klubi I Premier Ligës ruse mund të kërkojë deri në 18 milionë euro për transferimin e tij, ndërsa deri tani është dhënë shifra 12 milionë.
Mediat ruse shkruajnë se gjithçka është e hapur, por edhe nëse Daku do të largohej për 6 milionë euro, sërish ky do të ishte sukses për Rubinin, që do të fitonte pesëfish në krahasim me shpenzimin për ta marrë.
Në 2024, Daku u shpall lojtari më I mirë I kampionatit rus për pjesëmarrje në gola, me 15 gola e 9 asiste, ndërsa në këtë sezon ka 9 gola dhe 5 asiste.
Një nga mediat në qytetin e Kazanit, e shpalli yllin kuqezi si Sportistin e Vitit në Republikën Autonome të Tatarstanit.
Ndërkaq, trajneri Rahimov, e ka ftuar Dakun që ta vazhdojë edhe për disa kohë karrierën tek Rubini, ndërsa ka theksuar se tre cilësitë e tij kryesore janë shpejtësia, teknika dhe shpirti luftarak. /abcnews.al