Daku vendos për të ardhmen/ Sulmuesi kuqezi nuk do ndryshojë ekip këtë dimër

schedule13:54 - 1 Shkurt, 2025

schedule 13:54 - 1 Shkurt, 2025

Firma në letra vlen edhe për një vit e gjysmë.

Mirlind Daku ka kontratë me Rubinin në Rusi deri në 30 qershor 2026, ndërsa të ardhmen e afërt e ka sqaruar.

Siç pohon babai i tij, Fehmiu, sulmuesi i kombëtares do të vazhdojë të luajë në skuadrën ku ndodhet aktualisht, të paktën deri në fund të sezonit.

Babai I Dakut deklaron për mediat ruse se koha për të vendosur për transferim ka kaluar, ndërsa e vërteta është se Rubini hodhi poshtë dy oferta konkrete për lojtarin.

Flitet për 8 milionë euro të ofruara nga Lokomotiva e Moskës dhe 7 milionë euro nga klubi i Ligës së Parë të Francës, Lens.

Klubi I Premier Ligës ruse e vlerëson kartonin e shqiptarit të paktën 12 milionë euro, ndërsa trajneri Rahimov ka përmendur edhe shifrën 18 milionë euro, ndërsa Rubin e mori për vetëm 1.2 milionë euro.

Gjithsesi, drejtuesit duhet të gjejnë një zgjidhje dhe të shpejtë, pasi bisedime për rinovimin e kontratës as nuk ka, dhe as nuk priten të zhvillohen.

Duket se Daku po pret verën, kur të mbetet vetëm një vit nga kontrata, dhe Rubin të jetë I detyruar të pranojë ofertat për të.

Deri në atë kohë, shpresohet që kontributi i tij të vazhdojë të jetë i rëndësishëm si deri tani.

Këtë sezon, sulmuesi kuqezi ka 9 gola e 5 asistë, duke qenë më i miri tek Rubini, dhe njëri nga më të mirët në Premier Ligën ruse./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!