Daku pret prezantimin/ Sulmuesi kuqezi në Shën Peterburg, krah Bernard Berishës

schedule12:46 - 17 Qershor, 2025

schedule 12:46 - 17 Qershor, 2025

Dita zero erdhi. Mirlind Daku ka mbërritur në Shën Peterburg, për të qenë lojtari më I ri I Zenitit.

Futbollisti shqiptar është fotografuar në aeroportin e kryeqytetit të dytë rus këtë të hënë, në shoqëri të ish-futbollistit të kombëtares dhe të Skënderbeut, Bernard Berisha.

Berisha ka luajtur për Ahmatin e Groznit në Premier Ligën ruse, ndërsa Daku ka qenë për dy sezone pjesë e Rubinit, në të njëjtin kampionat.

Sulmuesi kuqezi është tashmë pjesë e Zenitit, ekipit 11 herë kampion të Rusisë dhe Bashkimit Sovjetik, që fitoi titullin gjashtë vjet radhazi deri në 2024, ndërsa këtë sezon u mund vetëm për një pikë nga Krasnodari.

Kontrata e Dakut është 4-vjeçare, dhe pagesa për të jepet deri në 3.5 milionë euro në sezon, që është rroga e dytë më e lartë e Premier Ligës së Rusisë.

Besohet se transferimi I tij do të arrijë deri në 10 milionë euro, ndërsa pagesa e parë është 8.5 milionë euro.

Në dy sezone, sulmuesi I kombëtares shqiptare shënoi 25 gola dhe shërbeu 12 asistë në 53 ndeshje të kampionatit, duke qenë më I miri tek Rubini, dhe më I miri në elitën ruse për kontributin për rrjetat.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!