Daku filmon Çunin/ Ylli kuqezi, video gjatë prezantimit të sulmuesit

schedule13:20 - 14 Shtator, 2024

schedule 13:20 - 14 Shtator, 2024

Prezantimi është gjithmonë I bukur, por ka edhe pasigurinë e tij.  Nuk është e lehtë të gjendesh në një mjedis të ri, sidomos kur është shumë larg vendeve ku kë jetuar dhe luajtur, dhe që ka një kulturë mjaft më të veçantë.

Gjithsesi, njeriu di të përshtatet dhe besohet se Marvin Çuni do t’ia dalë mbanë tek Rubini në Rusi. Sulmuesi 23-vjeçar kaloi ditën e parë në klubin e qytetit të Kazanit, dhe për fatin e tij aty është edhe sulmuesi i kombëtares shqiptare, Mirlind Daku.

Pasi kaloi me sukses vizitën mjekësore, dhe u pyet për dëmtimet gjatë karrierës, ai firmosi kontratën 4-vjeçare.  Më pas, pozoi me fanelën e re, dhe në rolin e një kameramani u vu edhe Daku.

Çuni tregoi pikërisht se kishte folur më parë me shokun e tij.

“Unë fola me agjentin tim, po ashtu fola me Dakun. Ai më tha vetëm gjëra të mira për qytetin, për Rusinë dhe për kampionatin dhe kjo më dha më shumë siguri. Unë luaj si qendërsulmues, por mund të luaj edhe në krahë, apo edhe prapa sulmuesit kryesor. Cilësitë e mia kryesore janë gjuajtja dhe shpejtësia në shënimin e golave”.

Çuni nisi direkt stërvitjen me Rubinin, nën drejtimin e trajnerit Rahimov, duke treguar se është gati.

“Jam shumë i lumtur që kam ardhur këtu. Bisedimet me klubin kaluan shumë mirë. Natyrisht, në fillim gjithçka është e re dhe e panjohur. Duhet të njoh shokët e skuadrës, por fillimi është shumë I mirë. Kemi biseduar që në gusht me trajnerin dhe drejtorin sportiv, dhe pastaj unë vendosa të vij këtu. Kjo është një sfidë për mua. Po luaj në një klub me rëndësi në Rusi, dhe liga është e fortë. Mezi pres të jem në fushë për ekipin”.

Marvin Çuni ishte në fushë që në ndeshjen e parë të Premier Ligës ruse, duke u aktivizuar në nisje të pjesës së dytë, ndërsa Daku ishte titullar, por Rubini u mund 2-0 në shtëpi nga Krilja Sovjetov.

Që nga minuta e 84-ët luajti edhe Veldin Hoxha, pra ishin tre shqiptarë në fushë, ndonëse rezultati ishte negativ.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!