Daja: Vllaznia ka sulm të mirë, unë kërkoj vazhdimësinë. Hoxha? Po stërvitet me grupin

schedule11:24 - 7 Dhjetor, 2021

schedule 11:24 - 7 Dhjetor, 2021

Partizani do të luajë nesër kundër Vllaznisë sfidën e javës së 12-të të Abissnet Superiores, një takim që do të luhet në “Loro Boriçi”, në orën 16:45.

Në këtë sfidë demat do të kërkojnë të vazhdojnë serinë e fitoreve dhe të kthehen “fuqishëm’ në garë për vendet e para të tabelës së klasifikimit.

Në konferencën për shtyp, trajneri i të kuqve, Ilir Daja ka folur për sfidën me shkodranët, gjendjen e skuadrës pas fitores me Skëndërbeun, si dhe shpjegon situatën me portierin Hoxha.

Vllaznia – Vllaznia ka bërë një kampionat shumë të mirë vjet dhe e ka startuar edhe këtë sezon shumë mirë. Më kujtohen fjalët e një trajneri të Dinamos, i nderuari Bejkush Birçe që thonte ‘një lojë e bukur mbahet mend një javë, ndërsa rezultati hyn në histori’. Përballjet me Vllazninë janë ndeshje ku brenda është dhe kënaqësia dhe vështirësia.

Dëshira e lojtarëve – Në këto ndeshje të fundit ku kemi marrë fitore, kryesorja ka qenë dëshira dhe sakrifica e lojtarëve për të shkuar te rezultati. Unë do të kërkoja vazhdimësinë që të bëhet një miksim ku motivimi, dëshira dhe sakrifica të jenë të parat.

Oshilacionet dhe gjendja e skuadrës – Ne kemi paraqitur oshilacione në marrjen e rezultateve, duhet të stabilizohemi në momentin e parë në marrjen e rezultatit, pastaj për të pretenduar edhe më tepër. Kemi ndryshuar, por që ende nuk jemi ende aty ku duhet të jemi.

Sulmi i Vllaznisë – Vllaznia ka një ndër sulmet më të mira të kampionatit, por nuk besoj që janë të varur vetëm nga një lojtar. E rëndësishme për ne është që të fokusohemi tek të gjithë ekipi i Vllaznisë.”

Rotacioni – Ka pasur dy opsione nga stafi që mund të bëjmë edhe rotacion të mundshëm sepse ndeshjet janë afër, vendosëm që t’i japim përparësi atyre lojtarëve që kanë qenë këto 3-4 javë në formacion. Me afrimin e lojtarëve të dëmtuar mund të ndryshojmë diçka sepse nuk kanë diferencë të madhe me ata që luajnë në formacion.”

Alban Hoxha – Alban Hoxha ka vazhduar stërvitjen me grupin, edhe në seancat stërvitore kur ne luajmë, ai nuk është futur në portë sepse specifika e portierit është se nëse ke diçka në duar nuk luan dot sepse një gabim kushton shumë”, deklaroi tekniku i demave.  /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!