Ilir Daja ka marrë drejtimin e Partizanit dhe pret që të kuqve t’u hiqet dënimi për merkaton. “Demat” gjatë kësaj periudhe po shikojnë për elementë cilësorë në merkato dhe Daja e ka marrë një premtim nga presidenti Gaz Demi.
“Natyrshëm që kemi hallin e bllokimit të merkatos. Drejtuesit po shohin për disa elementë për të përforcuar skuadrën, aty ku ne kemi nevojë. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me disa lojtarë”, u shpreh Daja fillimisht për “ABC News”, ndërkohë që më pas foli edhe për premtimin e marrë nga Demi.
“Më ka premtuar që këtë javë të bëj një paketë lojtarësh, të cilët do na ndihmonin shumë në atë projekt që ka Partizani dhe i them që të realizohet sa më shpejt të jetë i mundur”, shton trajneri i Partizanit, i cili komenton edhe merkaton.
“Në këtë periudhë e gjithë propaganda është te afrimet cilësorë, por do shihet gjatë ecurisë së garës se kush e bën diferencën. Ekipet janë aty-aty, por diferencën do ta bëjnë lojtarët cilësorë”, shprehet Daja. Partizani i tij nuk merr pjesë në kupat e Europës, ndërkohë që skuadrat e tjera shqiptare do diskutojnë kualifikimin në 90 minuta.
“I vetmi fakt që duhet parë në të dyja anët e medaljes është përcaktimi i skuadrës që kualifikohet me një ndeshje. Kjo ka të mirën e vet nëse kundërshtari në atë ndeshje është në një ditë ‘jo’. Shpresojmë që ekipet shqiptare të jenë në ditën e tyre më të mirë. Ka të keqen tjetër që nuk ke një mundësi të dytë në rast se nuk merr rezultat të mirë”, komenton trajneri i Partizanit.
Në fund ai nuk shmanget të flasë edhe për Skënderbeun, që para disa ditësh mori lajmin e keq se dënimi i dhënë nga UEFA nuk u hodh poshtë as nga Gjykata Federale e Zvicrës. Daja ka një mesazh edhe për presidentin e korçarëve, Ardjan Takajn.
“Unë kam drejtuar atë Skënderbe që nuk ka asnjë ndeshje të dyshuar. Ky Skënderbe bëri atë ecuri që shpresoj ta bëjnë edhe klube të tjera. Do duhet shumë kohë të ndodhë kjo gjë. I them Takajt që të vazhdojë ta drejtojë Skënderbeun, pasi në fund fare ka qenë një kënaqësi për të gjithë ne bashkë që punuam me atë klub”. /abcnews.al