Daja: Me titullin u përshëndetëm javën e shkuar, tani nisim punën për merkaton

schedule22:57 - 26 Maj, 2021

schedule 22:57 - 26 Maj, 2021

Partizani e luajti fort ndeshjen e fundit ndaj Bylisit dhe e fitoi me shifrat 2-4. Pas ndeshjes për mediet foli trajneri i të kuqve, Ilir Daja, që foli për sezonin e zhvilluar dhe tregoi planin e të kuqve për përgatitjet për përfaqësimin në Conference League.

“Nuk pretendonim më mbas ndeshjes së parafundit, s’po përmend as ekipet kundërshtare, sepse do të më keqkuptojnë sepse nuk kam pasur asgjë me asnjë ekip. Partizani e ka në stilin e vet, që nuk sulmon asnjë lloj kundërshtari. Vazhduam edhe sot po me të njëjtën mënyrë, pavarësisht se në lojë ishin shumë lojtarë të rinj sepse në fund fare në një ndeshje të tillë.

Kur ke dalë nga objektivi madhor dhe je pjesë e Europës, mund t’iu japësh minuta. Besoj se kemi bërë një kampionat goxha të mirë, dihet problematika që nga starti me merkaton e bllokuar. Do vazhdojmë të shikojmë përpara, i fortë është ai që kur bie, di të ngrihet.

Falënderoj të gjithë futbollistët, stafin, presidentin dhe drejtorin, për këtë lloj “vuajtje” që kemi kaluar të gjithë bashkë. Ndoshta Partizanit nuk i shkon vetëm kualifikimi në Kupat e Europës, por edhe ky është një objektiv i mirë, duke parë nisjen e kampionatit.

Kemi filluar të mendojmë për merkaton, por praktikisht nuk kemi bërë asgjë. Duke filluar që nga nesër, klubi do bëjë ofertat e veta financiare, sepse unë kam të drejtën vetëm për anën teknike në mënyrë mos të kemi shumë firo të mëdha nga grupi. Ky grup e çoi Partizanin deri në momentin e fundit që të ishte pretendent.

Do t’i marrim gjërat me qetësi dhe do t’i lemë lojtarët rreth 10 ditë pushim. Ne drejtuesit nuk do të kemi më shumë se 3-4 ditë pushim për të menduar më pas për një përfaqësim sa më dinjitoz në Kupat e Europës, duke shpresuar edhe te shorti me ekipet që do të kemi përballë”, u shpreh Daja. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!