Zëvendëskryeministri serb, njëherësh ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, tha se një person i panjohur ka plagosur një pjesëtar të Xhandarmërisë i cili po ruante Ambasadën izraelite në Beograd. Ai tha se ky rast po trajtohet si akt terrorist.
“Zyra e Prokurorit Special ka marrë përsipër këtë rast”, tha Daçiq për gazetarët, teksa vizitoi në Qendrën e Emergjencës policin e plagosur.
Paraprakisht, Ministria e Brendshme e Serbisë tha se rreth orës 11:00, një person i panjohur, ” identiteti i të cilit po përcaktohet, qëlloi me hark me shigjeta një anëtar të Xhandarmërisë i cili po ruante Ambasadën e Izraelit, duke e goditur në qafë”.
Në njoftim u tha se pjesëtari i Xhandarmërisë M.J (1990) ka përdorur armën në vetëmbrojtje, duke qëlluar sulmuesin, i cili vdiq si pasojë e plagëve të marra.
Ministria e Brendshme e Serbisë tha se polici i plagosur është transportuar në Qendrën Emergjente, ku do t’i nënshtrohet një operimi për të hequr shigjetën nga qafa.
“Të gjitha rrethanat e sulmit dhe motivet e mundshme po hetohen”, tha Daçiq.
Serbia ka mbajtur raporte të ngushta me Izraelin, shtet që po vazhdon operacionet ushtarake në Gazë, kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian./rel