Nga Erisa Zykaj
Edhe pse në fazën embrionale, Komuniteti Politik Europian ofron një platformë dialogu politik me interes për vendet e kontinentit europian, që nuk janë anëtarë të Bashkimit Europian.
Koncepti i Komunitetit Politik Europian u artikulua për herë të parë në 9 maj 2022 nga presidenti francez, Emmanuel Macron në Strasbourg. Objektivi i tij primar është të garantojë sigurinë dhe stabilitetin në kontinentin evropian dhe bashkëpunim në sektorë të caktuara socio- ekonomikë.
Sipas burimeve franceze, ky Komunitet nuk ofron një zëvendësim të procesit të zgjerimit të BE-së, por një vektor përshpejtimi të integrimit europian dhe bashkëpunimit të vendeve jo anëtare me vendet anëtare të BE-së në fusha që kërkojnë zgjidhje të përbashkëta të mprehta dhe të shpejta. Ideja është të përparohet me ritme të shpejta në fusha që kanë të bëjnë me sigurinë, zhvillimin dhe mirëqënien e qytetarëve të vendeve jo anëtare si ato të Ballkanit Perëndimor, pa pritur ritmin e ngadaltë që imponon rrugëtimi i integrimit europian.
Kjo barrë e perspektivës së një pritjeje të gjatë para anëtarësimit mishërohet së pari te Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina, që janë aktualisht të fundit në garën e integrimit europian dhe nuk kanë ende statusin e vendit kandidat. Këto dy vende, ashtu si dhe të vendet e tjera kandidate duan t’i ofrojnë rezultate konkrete qytetarëve të tyre në fusha kyçe, si ajo e sigurisë, zhvillimit socio- ekonomik, dhe ndërlidhjes pa pritur ditën e anëtarësimit në BE.
Sipas burimeve franceze, Komuniteti Politik Europian ofron perspektivën e rezultateve të prekshme në fushën e sigurisë, fushën energjitike, të transportit, të sigurisë ushqimore, të lëvizjes së lirë, arsimit dhe teknologjisë para anëtarësimit në BE.
Nëse marrim shembullin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, kjo do të përkthehej gjithashtu me përparim të shpejtë në fushat e mësipërme pa pritur ritmin e ngadaltë që imponon teknikaliteti i negociatave të anëtarësimit. Komisioni Europian tregon, se vetëm procesi i ekzaminimit të legjislacionit për të dyja vendet merr një vit para se të hapen kapitujt e parë të negociatave të anëtarësimit. Ndërkohë burime diplomatike të Bashkimit Europian, shprehen, se këto negociata në rastin më të mirë do të vazhdojnë nëntë vjet.
Në analizën e bërë nga instituti “Jacques Delors” mbi Komunitetin Politik Europian, del në pah, se ideja e Komunitetit Politik Europian u ofrua pikërisht për të evituar një pritje tepër të gjatë në rrugën e integrimin europian.
Logjika e deritanishme e procesit të anëtarësimit është së pari juridike dhe ekonomike. Sipas kësaj llogjike, vendet kandidate duhet të aprovojnë dhe të zbatojnë legjsilacionin e BE-së dhe të përgatisin ekonomitë e tyre për të qenë në nivelin e duhur dhe për t’i bërë ballë presionit të konkurrrencës në tregun e brendshëm tê BE-së.
Sipas eksperiencës së mëparëshme, ajo që u ka marrë shumë kohë vendeve kandidate gjatë të negociatave të anëtarësimit në BE ka qenë përafrimi me standartet për tregun e brendshëm dhe politikave të lidhura me të.
Vendet ish-kandidate ishin gati të anëtarësohen në shtyllën e dytë të politikës së jashtme të BE-së, edhe në shtyllën e tretë lidhur me drejtësinë dhe politkën e brendshme, por duhet të prisnin deri sa të anëtarësoheshin në shtyllën e parë shumë voluminoze të tregut të brendshëm.
Ndërkohë, që sipas institutit “Jacques Delors”, Komuniteti Politik Europian vjen si një një përgjigjjje politike për vendet që kanë vullnetin t’i bashkohen projektit politik të BE-së, pa qenë të përgatitura ekonomikisht në një periudhë të shkurtër apo afatmesme dhe pa i vendosur ekonomitë e tyre në rrezik. Pra, thënë ndryshe, ofrohet njê anëtarësim me etapa, etapë pas etape. Komunitetit do të ishte në këtë rast një fazë e parë e anëtarësimit, ku anëtarësimi nuk shtrohet më në termat “ nëse” por “kur”.