Armando Cungu është realist. Trajneri i Laçit e di shumë mirë se në turin e dytë të Europa League goglat nuk mund të jenë shumë bujare, pasi klubet e kualifikuara përgjithësisht vijnë nga kampionate më të forta se Superiorja.
Gjithsesi shkodrani i Laçit nuk mund të ankohet për Hapoel Beer Sheva, rival me të cilin Laçi u përball edhe vjet në turin e parë dhe u eliminuan pas humbjes në Izrael (1-0) dhe barazimit 1-1 në Laç.
“Nuk kemi luksin të zgjedhim rivalin, pasi nuk ka ekipe të lehta në këtë fazë. Hapoel Beer Sheva nuk është ekip i pakalueshëm”, thotë fillimisht Cungu për abcnews.al.
Më tej ai shton: “Sigurisht flasim për një klub me buxhet shumë të lartë, siç janë të gjitha klubet në Izrael. Edhe në turin e parë kaluam një ekip serioz dhe tani do mendojmë për ndeshjen tjetër me Hapoel Beer Sheva.
Kundërshtarin e mësova rrugës për në stërvitje dhe nuk është se kam pasur shumë kohë ta studioj, veç ndonjë informacioni të përgjithshëm. Normalisht do ulemi dhe do e vëzhgojmë si ekip”.
Cungu diçka e ka të qartë dhe e kërkon nga ekipi i tij: “Ne si Laç duhet të luajmë futboll aq sa dimë, të tregojmë shpirt gare. Kjo është ajo që kemi në dorë, të tjerat nuk i kemi në dorë. Te futemi në fushë e të japim maksimumin.
Edhe ndaj ekipeve nga Malta apo nga ndonjë vend tjetër me futboll më pak të zhvilluar, është e vështirë sot, pasi të gjithë kanë mësuar të luajnë futboll. Kështu na duhet të jemi seriozë dhe të jemi gati për ndeshjen”.
Laçi rrezikonte të luante kundër Tottenham, që do të ishte një ngjarje. Nga ana tjetër mund edhe të rrezikohej ndonjë goleadë dhe kurbinasit pas hedhjes së shortit nuk e kanë atë siklet.
“Në aspektin personal do të kisha dashur të luanim kundër Tottenham, pasi ndeshje të tilla mbeten shenjë në jetë. Por më duhet të flas si trajner i Laçit dhe normalisht nuk donim të përballeshim me ta. Shanset me ta ishin zero, ndaj shorti që na ra është i pranueshëm për ne”, përfundon Cungu. / VLADIMIR PRENGA – abcnews.al