Cungu i qartë: Të bëjmë atë që dimë, duam kualifikimin ndaj Hapoelit

schedule18:38 - 16 Shtator, 2020

schedule 18:38 - 16 Shtator, 2020

Laçi do të tentojë nesër të shkruajë historinë në Europa League (nuk kanë kaluar kurrë në raundin e tretë). Bardhezinjtë do të sfidojnë Hapoel Beer Sheva në raundin e dytë të kompeticionit evropian, takim që do zhvillohet në “Elbasan Arena” (19:00).

Një kundërshtar jo i panjohur për kurbinasit, të cilët u eliminuan verën e kaluar ndaj ekipit izraelit pas barazimit 1-1 në Laç dhe humbjes 1-0 jashtë fushe. Armando Cungu analizon sfidën në konferencën për shtypin, aty ku thekson se ekipi i tij do të futet në fushë për t’u kualifikuar.

SITUATA – “Në përgjithësi, situata është e mirë. Kemi disa shqetësime të vogla fizike sa i përket ndonjë individi të caktuar. Ka pasur ngarkesë për sa i përket ndeshjeve dhe intensitetit. E kam fjalë për lojtarët të cilët kanë marrë pjesë edhe te Shpresat. Megjithatë, pjesa dërmuese është e shëndoshë”.

ELBASAN ARENA – “Nuk më pëlqen të them që është minus fakti që nuk do të luajmë në Laç. Nuk është njësoj si të luash në shtëpinë tënde, pavarësisht se jemi në Shqipëri. Stadiumi i Elbasanit është prekur vetëm një herë nga ne, në ndeshjen me Kukësin. Shumë pak për ta njohur. Gjithsesi, mund të themi që është pozitive që luajmë në vendin tonë”.

HAPOELI – “Kundërshtari meriton shumë kujdes, pasi është ekip cilësor dhe shumë serioz. Kjo nuk i zbeh ambiciet tona për kalimin e turit. Jemi stërvitur mirë, djemtë janë stërvitur mirë. Besoj se i kemi idetë e qarta. Për mua është e rëndësishme të kërkoj atë qe dimë të bëjmë, duke futur brenda dëshirën, egon dhe karakterin. Kam shumë besim tek ekipi”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!