Çuçi: S’mund t’u vëmë agjentë nga pas çdo turisti. Peleshi: Nuk është koha për alarm

schedule14:13 - 22 Gusht, 2022

schedule 14:13 - 22 Gusht, 2022

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe ai i Mbrojtjes, Niko Peleshi dolën sot në një konferencë për shtyp për të dhënë detaje mbi incidentin e ndodhur në uzinën ushtarake të Gramshit. Tre të huaj tentuan të futen në uzinë, ndërsa janë në hetim për spiunazh.

Çuçi ndër të tjera tha se të huajt kanë fotografuar objekte të deklasifikuara. Ministri tha se nuk mund t’i vihet agjent nga pas çdo turisti, por masat nisin në momentin që ata shkelin ligjet.

“Të gjitha këto objekte të fotografuara janë të deklasifikuara. Në momentin që ai shkel një nen të Kodit Penal, ai do të fillojë procedimin ndaj tyre. Minimalisht ai ka bërë një agresion ndaj një personi me uniformë. Kjo është shkak ë të detyron hetimin e thelluar.

Nuk mund t’u vëmë agjent nga pas çdo turisti. Nuk është ky rasti. Shteti vepron në varësi të reagimeve të çdo turisti, qoftë ky me pasaportë ruse”, tha ai.

Lexo edhe: Incidenti në Gramsh, Peleshi: Po e trajtojmë me seriozitet, jetojmë në rajon delikat

Ndërkaq, Peleshi u shpreh se nuk është koha për alarm dhe se ngjarja po hetohet. Ai tha gjithashtu se janë shtuar masat mbrojtëse në objektet e rëndësishme.

“Ngjarja është nën hetim, nuk është koha për alarm. Ngjarja nuk kalon pa vëmendje. Mund t’ju konfirmoj që jo vetëm për shkak të kësaj ngjarje, por edhe për situatën e përgjithshme, ne i kemi shtuar masat e sigurisë sidomos në objektet e rëndësishme. Dy ushtarakët tanë kanë vepruar sipas protokollit”, u shpreh ministri. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!