Çuçi pyetet në Komision a u shkarkua Ardi Veliu? Ministri: Do ta merrni vesh

schedule13:55 - 5 Tetor, 2021

schedule 13:55 - 5 Tetor, 2021

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi është pyetur në Komisioni për Sigurinë Kombëtare nga deputeti demokrat Luan Baçi nëse është shkarkuar nga detyra drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu.

Çuçi nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por tha se përgjigjen Baçi dhe të gjithë të tjerët do ta marrin vesh në kohën e duhur, duke shtuar me ironi se Veliut nuk i mbaruar ende kandili.

Luan Baçi: A është shkarkuar Ardi Veliu?

Ministri Çuçi: Do e merrni vesh në kohën e duhur, kur t’i mbarojë kandili.

Ndërkohë i kontaktuar nga ABC, Drejtori i Komunikimit të kryeministrit Edi Rama ka thënë se Ardi Veliu nuk është shkarkuar nga detyra.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama rreth tre muaj më parë pas ngjarjeve të shumta kriminale në vend, vuri një afat prej 100 ditësh për strukturat e policisë duke thënë se brenda këtij afati ata duhet të vendosnin rendin dhe angazhimin maksimal.

“Keni 110 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal nga i pari tek i fundit. Asnjë ditë më shumë. Që qytetarët të marrin frymë shumë të lehtësuar duke e parë Policinë e Shtetit në një nivel tjetër. Asnjë shkencë, asnjë shpikje, asnjë luftë me të panjohur, thjesht dhe vetëm gjërat që i dini, gjërat që njerëzit duan si themelin e marrëdhënies me shtetin” tha Rama para 100 ditësh.

E teksa ky 100 ditësh përfundon nesër nuk dihet nëse policia i ka përmbushur pritshmëritë e Ramës.

“Kjo duhet bërë në respektin e vetes, masës dërrmuese të trupës që është korrekte dhe nuk ka pse t’i paguajë kostot një pjesë që duhet zhdukur nga Policia e Shtetit dhe duhet të shkojë përpara përgjegjësisë. Në çdo qark në 100 ditë duhet të jepen shembuj të qartë, nuk mund të ketë komisarë që luajnë me dy porta dhe ju nuk e keni fare problem as t’i kapni. Ky është një objekt i palëvizshëm në çdo qark”, tha në atë kohë Kryeministri Edi Rama. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!