Çuçi prezanton projektligjin e transformimit të SHÇBA: Do të hetohen shkeljet e rënda

schedule10:55 - 21 Tetor, 2021

schedule 10:55 - 21 Tetor, 2021

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, ka prezantuar sot në Komisionin e Ligjeve projektligjin për transformimin e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), strukturë e cila heton Policinë e Shtetit.

Struktura e re do të quhet Agjencia e Mbikqyrjes Policore dhe do të ketë kompetenca dhe detyra të reja. Subjekte që do të hetohen nga gjencia do të jenë edhe Garda e Republikës edhe Shërbimi Zjarrfikës. Por Policia e Shtetit ngelet edhe struktura më e madhe, dhe me impaktin më të madh në radhët e komunitetit.

Gjatë fjalës së tij Çuçi tha se nga inspektimet e bërë nga SHÇBA në Policinë e Shtetit ka evidentuar problem që kërkojnë përfshirjen e sektorit të certifikimit. Ministri theksoi se struktrura e re do të hetojë shkeljet e rënda.

“Disa nga problematikat shqetësuese që lidhen me procesin e pajisjes me certifikatë është se nuk ndiqen afatet e pajisjes me certifikatë dhe krijohen periudha të pambuluara. Po ashtu subjektet e agjencisë nuk kanë krijuar një databasë për të kontrolluar punonjësit që nuk janë pajisur me certifikatë apo që u ka mbaruar afati”, tha ai.

“I gjithë procesi që çon në marrjen e certifikatës do të udhëhiqet nga agjencia dhe do të shkëputet nga policia, ndërsa ekzaminimi poligrafik ka lindur si detyrim për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, shtoi ministi.

Sakaq, kryetarja e komisionit Klotilda Bushka sqaroi se projektligji është hartuar në shkurt të këtij viti por nuk është përfunduar në legjislaturën e kaluar. g.v/abcnews.al