Në përfundim të mbledhjes së qeverisë ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka bërë me dije se është miratuar plani i veprimit kundër trafikimit të qenieve njerëzore, si pjesë e strategjisë kundër krimit të organizuar për 4 vitet e ardhshme.
“Sot miratuam planin e veprimit anti-trafik të personave si një pjesë e strategjisë tonë kundër krimit të organizuar. Plani i vitit për 2022 përmban veprime konkrete të shumë institucioneve por jo vetëm. Siç dihet trafiku i qenieve njerëzore është shumë kompleks ndaj do ketë adresim shumë konkret që fillon nga parandalimi i këtij fenomeni te rehabilitimi i viktimave. Është plan veprimi 2021 2025 kundër krimit të organizuar dhe është përgatitur nga shumë institucione, bashkë me OKB”, tha ministri.
Këtë të mërkurë Këshilli i Ministrave ka miratuar disa vendime. Ministrat dolën para Kryeministrisë dhe njoftuan për mediat vendimet e marra në fushat e tyre, ku e para ishte ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila tha se janë kaluar tre akte që lidhen me shpronësimet. Megjithatë, ministrja u ndal tek reforma në ujësjellës që sipas saj do të nisë intensivisht për të rritur mirëmenaxhimin në të gjitha bashkitë. Balluku tha se reforma e këtij sektori pritet që të përfundojë brenda 12 muajsh.

