Çuçi ministër i Brendshëm, gazetari: Rama e zgjodhi për të ulur gjakrat

schedule12:28 - 17 Dhjetor, 2020

schedule 12:28 - 17 Dhjetor, 2020

Për gazetarin Erl Murati zgjedhja e dy ministrave të rinj me një karrierë politike është pozitive. I ftuar në studion e ABC me Juli Xhokaxhi, Murati tha mes të tjerash se beson që marrëdhënia e Bledi Cuçit me opozitën do jetë më e mirë se ajo me paraardhësin e tij Sandër Lleshaj.

“Fakti që tani kemi një ripolitizim të qeverisë besoj se është pozitive. Unë mendoj se në postet kyç të shtet është mirë të kesh njerëz politikë, që janë produkt i një karriere politike. Çuçi do ta ulë pak dozën e gazit lotsjellës. Duke qenë një njeri politik ai del në rrugë takon njerëz. Kur një ministër politikë që vjen nga një karrierë politike ka tjetër qasje me publikun. Unë besoj se marrëdhënia e Cuçit me opozitën do jetë më e mirë dhe uroj të jetë kështu se marrëdhënia e paraardhësit të tij me Sandër Lleshajn”, thotë gazetari.

Më tej, Murati shton se pikërisht qetësimi i gjakrave ka qenë një nga arsyet që kryeministri Edi Rama zgjodhi Çuçin në krye të dikasterit të Ministrisë së Brendshme.

“Duke qenë se kemi pasur një marrëdhënie të tensionuar me një pjesë të popullit opozitar besoj se ngjitja e Çuçit do t’i hedhë pak ujë këtij zjarri që është ndezur në këtë marrëdhënie. Qetësimi i gjakrave ka qenë një nga arsyet që zoti Rama ka përzgjedhur Çuçin”, u shpreh gazetari.

Ndërsa u përfol për një grua në krye të Ministrisë së Brendshme, gazetari thekson se edhe në këtë lëvizje u ruajt barazia gjinore, pasi Milva Ekonomi u emërua te Bujqësia. Sipas tij Çuçi bën pjesë te grupi i përfaqësuesve të mazhorancës që nuk ka qenë target kryesor i opozitës.

“Edhe në këtë lëvizje të vogël që bëri u kujdes për të ruajtur barazinë gjinore. Pritej që të ishte një zonjë. Por është e parëndësishme gjinia në këtë pikë. Ne kemi një situatë konkrete. Çuçi është një nga ministrat që përvoja e tij ndërthuret me karrierën politike. Çuçi bën pjesë te grupi i përfaqësuesve të mazhorancës që nuk ka qenë target kryesor i opozitës. Jam i bindur se në muajt që do të pasojnë më i kritikuar.

Mendoj se ka të lehtë për të qenë një ministër i mirë. PS nuk ka pasur marrëdhënie të lumtur me dikasterin e Ministrisë së Brendshme sepse kanë ikur 3 ministra. Çuçi s’ka nevojë të jetë supermen. Roli i tij është delikat, mjafton të jetë një ministër normal”, u shpreh Murati.  g.v/abcnews.al