Ish-drejtori i përgjithshëm i Milanit, Adriano Galliani, tani drejtues i Monza, foli për SkySport Italia, ku më shumë u ndalua te transferimet e mundshme që mund të kishte realizuar. Adriano Galliani u shpreh: “Unë u përpoqa të firmos me Alessandro Del Piero përpara se Juventusi të siguronte firmën e tij.
Drejtori i Padovës erdhi te ne dhe kërkoi pesë miliardë lira [monedha e vjetër italiane para euros]. Më vjen keq, për shkak se në atë kohë, nuk mendova të shpenzoja aq shumë para.
Një keqardhje tjetër është Cristiano Ronaldo. Sporting kërkoi 16 ose 17 miliardë lira për një 16-vjeçar. Ariedo Braida po na nxiste, por unë u shqetësova, sepse kjo shifër ishte jashtëzakonisht e madhe për një lojtar të paprovuar, aq më tepër për një fëmijë.
Ne gjithashtu nuk arritëm të nënshkruanim as me Tottit, sepse ai donte të qëndronte vetëm te Roma. Në vitin 2006, Andriy Shevchenko vendosi të shkojë në Londër, ishte zgjedhja e tij dhe jo e Milanit ose Berluskonit. Sheva nuk ishte shitur nga klubi, por përkundrazi, ishte vendimi i tij i prerë për të shkuar te Chelsea”, tha mes të tjerash Galliani./abcnews.al