Ish-lojtari i Juventusit, Andrea Barzagli, është rikthyer të flasë për periudhën e tij te bardhezinjtë. Në një intervistë për “Juventus Twitch”, italiani ndalet në shumë tema ku bien në sy ato për shokët e tij të ngushtë, Cristiano Ronaldon si dhe për Andrea Pirlon. Në fund ai flet edhe për të ardhmen e tij dhe e pranon se për momentin nuk ka ndërmend t’i futet trajningut.
RONALDO – “Padyshim që Cristiano është finalizuesi më i mirë i të gjithë kohërave. Ai shënon në çdo mënyrë dhe rekordet e tij flasin vetë. Dëshira dhe egoja e tij janë të pabesueshme. Në karrierën time jam përballur me sulmues të fortë dhe do të veçoja portugezin, i cili gjithmonë ka shënuar kundra nesh. Gjithashtu, edhe Drogba ka qenë si një forcë e natyrës”.
DUELI I JUVENTUSIT ME PORTON – “Më kujtohet ndeshja jonë atje në vitin 2017. Luajtëm shumë mirë dhe ai gol i shënuar nga Pjaca ishte shumë i rëndësishëm. Më pas Dani Alves vulosi kualifikimin. Mbaj mend se stadiumi i tyre “vlonte” nga tifozët. Ata kanë patur disa lojtarë interesantë”.
SHOKËT MË TË MIRË TE JUVJA – “Andrea Pirlo, i cili është një nga mesfushorët më të mirë të njëzet viteve të fundit. Giggi Buffon që për mua është portieri më i mirë i të gjithë kohërave. Nuk mund t’i ndaj Del Pieron dhe Carlos Tevezin, të cilët kanë qenë të një kategorie tjetër”.
PIRLO SI TRAJNER – “Tashmë e shikoni Andrean serioz, por në realitet ai është si një gjemb në kuptimin e mirë të fjalës. Si lojtar ka qenë i shkëlqyer, ka patur një inteligjencë të rrallë dhe na dha të gjithëve shumë besim. Si trajner nuk e di.
Sapo ka filluar dhe po bën lëvizje të zgjuara. Shpresojmë që të shkojë sa më mirë. E kam takuar disa herë në Torino dhe e pashë shumë të bindur në dëshirën e tij për t’u bërë trajner. Ai ka qenë gjithmonë një person pozitiv dhe pothuajse gjatë gjithë kohës qëndronte i buzëqeshur”.
E ARDHMJA E TIJ – “Disa lojtarë pasi përfundojnë karrierën e tyre, rikthehen sërish në botën e futbolllit si trajnerë apo në role të ndryshme drejtuese. Unë jam mirë kështu dhe më pëlqen shumë vera. Herë pas here luaj tenis, dal për vrap si dhe dërgoj dhe marr fëmijët nga shkolla”.
KUJTIME ME BUFFON, CHIELLININ DHE BONUCCIN – “Kur i shkruan Giggit ai mund të të përgjigjet pas një jave. Në dhjetë vite që kemi kaluar ka shumë kujtime të bukura, disa mund të tregohen dhe disa jo. Buffin, Chiellin dhe unë ishim garda e vjetë dhe prandaj ishim dhe më seriozët. Dikur në tryezat e Juves ishin të ndara në lojtarët italianë dhe të huaj. Më pas erdhën amerikano latinët dhe unë nuk kuptoja më asgjë sepse komunikonin spanjisht”, përfundon Barzagli. /abcnews.al