Fabio Paratici u shpall drejtuesi më i mirë i vitit në Itali. Drejtori sportiv i Juventusit ka bërë një analizë të skuadrës për Sky Sport, teksa ndalet edhe te disa individë të caktuar.
Ekipi po rritet, loja po përmirësohet dhe rezultat po vijnë. Paratici ndihet mirë dhe e ka të qartë se bardhezinjtë do të jenë akoma më të fortë në vijim.
Mandzukic pritet të transferohet te Manchester United në janar dhe Juventusi nuk do t’i krijojë probleme. Cuadrado dhe Matuidi presin rinovimet, ndërsa Paratici jep një koment për CR7, De Ligt, Higuain dhe rivalët për titull.
“Paraqitjet e fundit të ekipit kanë qenë të shkëlqyera dhe na kanë bërë të lumtur. Do të bisedojmë me Mandzukic dhe agjentët e tij për të gjetur zgjidhjen më të mirë për të gjithë. Po mendojmë edhe për rinovimin e kontratave të Cuadrados dhe Matuidit.
Ronaldo është një profesionist i madh. Mendoj se do e respektojë kontratën që ka me ne deri në vitin 2022. De Ligt? Ai është një djalosh special, ka marrë vlerësime të rëndësishme sezonin e kaluar dhe u shpall mbrojtësi më i mirë në Champions në moshën 19-vjeçare. Ka mentalitet kampioni dhe nuk kënaqet kurrë me veten. Ai është një nga blerjet tona më të mira.
Higuain është një ndër tre qendërsulmuesit më të mirë në botë. E njohim mirë dhe e prisnim një rendimet të tillë. Nuk na ka befasuar aspak. Titulli? Interi është rivali kryesor. Edhe Napoli ka një skuadër shumë të fortë. Mendoj se edhe Atalanta nuk ka asgjë më pak se ekipet e tjera. Nuk kanë një histori të madhe, por po tregojnë se i meritojnë këto arritje. I uroj të bëjnë mirë, por mos të kopjojnë Leicester City”, përfundon drejtuesi i “Zonjë së vjetër”.