“CR7 nuk është normal, ju tregoj një episod pas ndeshjes me Atalantën”

schedule14:20 - 17 Dhjetor, 2019

schedule 14:20 - 17 Dhjetor, 2019

Cristiano Ronaldo është një profesionist ekzemplar. Ylli portugez duelon prej vitesh me Leo Messin për futbollistin më të mirë në planet dhe nuk ka ndërmend të ndalet pavarësisht 34-viteve mbi supe.

Medhi Benatia luajti fazën e parë të sezonit të kaluar me të, përpara se të transferohej në janar drejt Al Duhail të Katarit. Mbrojtësi maroken sjell një moment interesant në një prononcim për RMC Sport, aty ku flet për fiksimin e madh të portugezit për t’u stërvitur.

Po ktheheshim nga Bergamo dhe unë e Ronaldo kishim qëndruar në pankinë, nuk kishim luajtur fare. Ishim në autobus, Cristiano m’u afrua dhe më tha: ‘Çfarë ke ndërmend të bësh?’ Iu përgjigja: ‘Është ora 23:00, dua të kthehem në shtëpi, pse?‘ Në atë moment ai m’u përgjigj: ‘Nuk ke dëshirë të bësh një seancë të vogël stërvitore? Nuk u djersita në pankinë, më duhet të stërvitem, nuk po më shoqëron?’“.

Doja të nisesha për shtëpi dhe të shihja TV. Mendova me vete se ky djalë nuk është normal. Ka sakrifikuar gjithë jetën e tij për futbollin. Kur e njeh nga afër, e respekton më shumë si njeri se si futbollist. Befasohesha me faktin se me sa intensitet stërvitej, sidomos si e bënte çdo ditë të njëjtën gjë. Përveç stërvitjes me grupin, Cristiano kishte edhe programin e vet personal“, përfundon mbrojtësi maroken. /abcnews.al