CPJ: Rritet me 50 për qind numri i gazetarëve të vrarë në vitin 2022

schedule10:07 - 25 Janar, 2023

schedule 10:07 - 25 Janar, 2023

Në vitin 2022, numri i gazetarëve të vrarë në mbarë botën u rrit me 50% krahasuar me vitin e kaluar, sipas një raporti të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ).

Raporti, i publikuar më 24 janar, thotë se të paktën 67 punonjës të mediave u vranë në mbarë botën në vitin 2022, duke shënuar numrin më të lartë që nga viti 2018.

Më shumë se gjysma e gazetarëve që humbën jetën janë nga vetëm tre vende: Ukraina, me 15 gazetarë të vrarë, Meksika me 13 dhe Haiti me 7.

CPJ tha se kishte konfirmuar se 41 nga 67 gazetarët u vranë “në lidhje të drejtpërdrejtë me punën e tyre” dhe tha se po heton motivet për 26 vrasjet e tjera.

CPJ tha se gazetarët që mbulojnë luftën në Ukrainë “përballen me rrezik të madh”.

“Anëtarët e shtypit plagosen shpesh nga bombardimet gjatë mbulimit të konfliktit dhe disa raportojnë se ata janë shënjestruar nga forcat ruse”, tha komiteti në raportin e tij.

Sipas raportit të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, rritja e rrezikut ka bërë që gazetarët në këto vende të punojnë nën stres ekstrem./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!