Fillimisht një punonjës i Federatës dhe më pas shtatë anëtarë të stafit teknik. Covid-19 u ul këmbëkryq në kombëtaren italiane dhe me kalimin e ditëve rastet sa vijnë dhe shtohen. Të radhës ishin Bonucci e Verratti, por dje listës iu shtuan edhe Florenzi, Grifo, Bernardeschi dhe portierët Cragno e Sirigu.
Tashmë alarmi kalon nga ana e Milanit për gjendjen e Gianluigi Donnarummës, pasi përveç dy portierëve është infektuar edhe trajneri i portierëve të kombëtares së Italisë. Sikur të mos mjaftonte kjo, gardiani ishte ulur ngjitur me Bonuccin në avion gjatë kthimit nga Bullgaria.
Në tamponin e bërë ditën e shtunë, fatmirësisht ai rezultoi negativ dhe ishte në fushë në barazimin 1-1 kundër Sampdorias. Kujtojmë që 22-vjeçari e ka kaluar virusin më parë dhe mungoi në duelin kundër Romës në fazën e parë. Mbetet për t’u parë se si do të vijojë gjendja e Donnarummës, por duhet theksuar se rreziku është prezent dhe te Milani kanë frikë. /abcnews.al