Covid-19 i merr jetën ish-rektorit të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”

schedule12:15 - 11 Dhjetor, 2020

schedule 12:15 - 11 Dhjetor, 2020

Ndahet nga jeta pedagogu dhe ish-rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan,  prof.dr Jani Dode. Siç raporton gazetari Aldo Kozarja, Dode kishte rreth një javë që ishte prekur nga Covid 19.

Pedagogu ishte i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ndërsa gjendja e tij u përkeqësua, ku nuk ka mundur të fitojë dot betejën me virusin.

Dode është zgjedhur rektor i universitetit të Elbasanit në vitin 2000, ndërsa njihej si personalitet i shquar i arsimit në qytet.

Për ndarjen nga jeta të pedagodut ka reaguar edhe ministrja e Arsimit Evis Kushi, e cila ka shprehur ngushëllimet.

Mesazhi i Evis Kushit: 

Jam shumë e hidhëruar për ndarjen nga jeta të Profesorit dhe mikut tim të dashur, Jani Dode, për shkak të virusit të pabesë. Akademikun e nderuar dhe ish-rektorin e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, do ta kujtoj gjithmonë si një person me profesionalizëm dhe integritet të lartë, i cili gëzonte vlerësimin dhe respektin e mbarë komunitetit të studentëve dhe botës akademike.

Me Profesor Janin kam pasur fatin dhe nderin të bashkëpunojmë dhe realizojmë së bashku shumë projekte dhe iniciativa të rëndësishme në kuadër të zhvillimit të mëtejshëm të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Elbasanit, si për rritjen e cilësisë ashtu edhe për fuqizimin e punës kërkimore shkencore.

Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit, kolegët dhe të gjithë miqtë e tij!

g.v/abcnews.al