Coronavirusi/ Situata e vështirë në Lombardi, Milani bën gjestin e madh

schedule11:11 - 10 Mars, 2020

schedule 11:11 - 10 Mars, 2020

Milani ka vendosur të ndihmojë në përballimin e situatës së vështirë që Italia po kalon. Coronavirusi ka prekur më shumë se 6 mijë njerëz, ndërkohë që edhe numri i viktimave ka kaluar mbi 300. Klubi i Serie A ka vendosur që të ofrojë 250 mijë euro, si dhe fton tifozët që të ndihmojnë edhe ata në kalimin e kësaj situatë të vështirë që ka përfshirë krahinën e Lombardisë dhe pjesën më të madhe të Italisë së Veriut.

“AC Milan dhe fondacioni ynë ka vendosur të dhurojë 250 mijë euro për AREU (Kompania e Urgjencave Rajonale), kompani që merret me emergjencat shëndetësore në rajonin e Lombardisë. Donacioni do ndihmojë AREU për të siguruar gjithë ndihmën e nevojshme për ata që preken nga Covid-19.

Klubi gjithashtu ka vendosur të rimbursojë tifozët për biletat e blera për ndeshjen me Genoa, ata që kanë marrë një të vetme, por edhe ata që janë të abonuar.  Pas kërkesave të shumta të tifozëve tanë besnike, që nga tani nis një proces ku mund të jepni ndihmën tuaj për të dhuruar në përballimin e kësaj gjendjeje emergjence”, shkruhet në komunikatat e klubit të Milanit.

Shkurtimisht ka folur edhe CEO i kuqezinjve, Ivan Gazidis: “Milani është më shumë se një klub, është një komunitet ku ne kujdesemi për njëri-tjetrin, është një komunitet që përfaqëson Milanin anembanë botës. Jemi të bashkuar dhe jemi krah njëri-tjetrit me të gjitha fansat tanë. Do i rimbursojmë tifozët dhe për këtë i kemi njoftuar, sikurse edhe do t’i mbështesim ata që ta kapërcejnë këtë moment të vështirë”. /abcnews.al